Secondary Adv

Euro poshtë 93 lekëve, prek minimum të ri historik

Euro e mbylli javën në një minimum të ri historik kundrejt lekut, duke u këmbyer me 92.85 lekë.

Monedha europiane është zhvlerësuar me 4.1% që nga fillimi i vitit dhe me 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 92.85 lekë, duke vijuar tendencën rënëse të muajve të fundit. Agjentët e tregut e lidhin forcimin e monedhës vendase kryesisht me sezonin turistik, i cili sjell prurje më të larta valutore dhe rrit ofertën e Euros në tregun vendas.


Turizmi dhe investimet e huaja shtojnë ofertën e valutës

Sipas të dhënave të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 6.2% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Flukset më të larta të vizitorëve të huaj shoqërohen me shtim të valutës që hyn në ekonomi, duke ushtruar presion për forcimin e Lekut.


Edhe zhvillimet në bilancin e pagesave kanë favorizuar këtë tendencë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente ra në 228 milionë euro, ose 28% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, duke shënuar një rekord të ri historik për tremujorin e parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja direkte u rritën me 11.6%.


Në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi i këtyre treguesve është përkthyer në një ofertë më të lartë të valutës në tregun vendas, duke favorizuar shfaqjen më të hershme të presioneve mbiçmuese mbi Lekun.


Sipas Bankës së Shqipërisë, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmon lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve me jashtë.


Suficiti buxhetor arrin rekord prej 52.8 miliardë lekësh

Në publik vijon të jetë i pranishëm edhe perceptimi se kursi i Euros ndikohet nga prurjet valutore që burojnë nga aktivitetet informale ose kriminale dhe që orientohen veçanërisht drejt zhvillimit dhe blerjes së pasurive të paluajtshme.


Nga ana tjetër, forcimi i Lekut po mbështetet pjesërisht edhe nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare. Suficitet e larta fiskale gjatë pjesës më të madhe të vitit reduktojnë ofertën e monedhës vendase në treg. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, suficiti buxhetor arriti nivelin rekord prej 52.8 miliardë lekësh, duke u rritur me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Banka e Shqipërisë vijon blerjet e Euros

Banka e Shqipërisë po ndërhyn në tregun valutor përmes blerjeve të valutës, me synim zbutjen e ritmit të forcimit të Lekut. Megjithatë, ndërhyrjet kanë arritur ta frenojnë vetëm pjesërisht rënien e Euros. Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore po vijon blerjet, por pa arritur ta ndalojë plotësisht tendencën rënëse të monedhës europiane.


Edhe vendimi për të mos rritur normën bazë të interesit gjatë muajve të fundit lidhet pjesërisht me përshpejtimin e forcimit të Lekut në kursin e këmbimit.


Që prej vitit 2024, Banka e Shqipërisë është përpjekur të zbusë ritmin e mbiçmimit të Lekut nëpërmjet blerjeve të konsiderueshme të valutës në tregun e brendshëm. Nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, blerjet arritën në 140 milionë euro, një rekord për këtë periudhë të vitit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat